Kim Jong Un ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar bisedimet me SHBA-në, por vetëm nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesa për çarmatim bërthamor.

Gjatë një fjalimi para parlamentit të Koresë së Veriut, ai tha se ende ruan kujtime të mira nga takimet me Donald Trump, por hodhi poshtë çdo mundësi për dialog me Korenë e Jugut, të cilën e quajti një armik të përhershëm..

Ai akuzoi Perëndimin se përdor dorëzimin e armëve bërthamore si një kurth për të dobësuar vendet sovrane dhe u shpreh se arsenali bërthamor i Koresë së Veriut nuk do të jetë kurrë pjesë e ndonjë pazari diplomatik, tani apo në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, Kim po thellon bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën, duke kërkuar të rrisë ndikimin e tij ndërkombëtar dhe të vendoset si një fuqi bërthamore e barabartë në skenën globale

Ndërsa në Seul rritet shqetësimi se mund të mbetet jashtë një procesi të ardhshëm negociator, vizita e mundshme e Trump në Korenë e Jugut muajin e ardhshëm ka shtuar spekulimet për një tjetër përpjekje për takim me Kim, ndonëse pa gjasa për rezultate konkrete pa një ndryshim rrënjësor në qasjen e SHBA-së.