Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se do të ngrejë një padi në vlerën prej 15 miliardë dollarësh kundër gazetës prestigjioze amerikane The New York Times.
Kjo pas disa raportimeve të saj që lidhnin emrin e tij me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein.
Përmes një postimi në platformën e tij sociale Truth Social, Trump akuzoi gazetën për shpifje të rëndë ndaj tij, familjes dhe bizneseve që ai zotëron. Ai e cilësoi raportimin e gazetës si një fushatë të qëllimshme dezinformimi, që sipas tij synon të dëmtojë jo vetëm figurën e tij, por edhe lëvizjet politike konservatore që ai përfaqëson, përfshirë “America First” dhe “Make America Great Again” (MAGA).
“Sot, kam nderin e madh të njoftoj se do të ngre një padi për shpifje në vlerën 15 miliardë dollarë kundër gazetës The New York Times. Ata kanë gënjyer për mua, për familjen time dhe për gjithçka që përfaqësoj,” shkroi Trump.
Padia, sipas tij, do të ngrihet në shtetin e Floridës, megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me kohën apo bazën ligjore mbi të cilën do të ndërtohet çështja.
Reagimi i Trump vjen disa ditë pas publikimit të një artikulli nga New York Times, që raportonte për një shënim dhe një vizatim me përmbajtje seksuale sugjestive, i cili sipas burimeve të gazetës, i ishte dorëzuar Epsteinit dhe mund të kishte lidhje me Trumpin.
Gazeta The New York Times nuk ka reaguar ende ndaj deklaratës së ish-presidentit dhe nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar për akuzat e ngritura.