Ish-presidenti amerikan Bill Clinton pritet të dëshmojë nesër para Kongresit të SHBA-së, në kuadër të hetimeve që lidhen me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Clinton ka pranuar më herët se ka udhëtuar me avionin privat të Epsteinit në fillim të viteve 2000, së bashku me pjesëtarë të stafit të tij, në funksion të aktiviteteve të Clinton Foundation. Ai ka theksuar se nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë kriminale të Epsteinit apo të bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, dhe nuk është akuzuar ndonjëherë në lidhje me këtë çështje.

Në publikimin fillestar të dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në dhjetor, u përfshinë edhe disa imazhe ku shfaqej Clinton, përfshirë një fotografi ku ai shihej duke notuar në një pishinë dhe një tjetër ku qëndronte i shtrirë me duart pas kokës në një vaskë që dukej si me ujë të nxehtë.

Clinton është fotografuar disa herë me Epsteinin gjatë viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, përpara arrestimit të parë të financierit. Autoritetet kanë sqaruar se përfshirja e emrit apo imazheve të tij në dokumentet e publikuara nuk përbën provë për ndonjë shkelje apo përfshirje në aktivitetet e paligjshme të Epsteinit.