Përplasja tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë ka hyrë në një fazë të re, pas vendimit të Otavës për të vendosur tarifa hakmarrëse ndaj rreth 700 produkteve amerikane.

Masat, të cilat do të hyjnë në fuqi më 8 shtator, parashikojnë tarifa prej 15%, 25% dhe 50% për mallra me vlerë rreth 27.6 miliardë dollarë kanadezë.

Në listën e produkteve të prekura përfshihen çeliku, produktet e bulmetit, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë bujqësore, produktet e letrës dhe pajisjet elektronike.

Ministria kanadeze e Financave ka deklaruar se negociatat me administratën e Donald Trump u zhvilluan për një periudhë intensive, por në ditët e fundit pala amerikane paraqiti kushte të reja që, sipas Otavës, nuk ishin në interesin e Kanadasë.

Qeveria e kryeministrit Mark Carney ka miratuar gjithashtu një paketë mbështetëse me vlerë miliarda dollarë për bizneset dhe punëtorët që mund të preken nga tarifat e reja.

Carney ka paralajmëruar se përplasja prek sektorë strategjikë të ekonomisë kanadeze, veçanërisht industrinë e automobilave, çelikun dhe aluminin.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka njoftuar se duke nisur nga 1 janari 2027, SHBA-ja do të vendosë tarifa 50% ndaj automjeteve, pjesëve të automjeteve dhe çelikut kanadez.

Presidenti amerikan ka vijuar edhe me deklaratat e tij të ashpra ndaj Kanadasë, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë më nevojë për vendin fqinj. Në kuadër të kësaj përplasjeje, Trump ka propozuar edhe riemërtimin e Liqenit Ontario në “Liqeni Amerika”.

Deri tani nuk ka një datë të përcaktuar për rifillimin e negociatave mes dy vendeve. Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit rrezikon të ndikojë një prej marrëdhënieve tregtare më të mëdha në botë, pasi Kanadaja dërgon rreth 70% të eksporteve të saj në tregun amerikan.