Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hedhur poshtë spekulimet për një largim të mundshëm nga detyra përpara përfundimit të mandatit, pavarësisht presionit politik ndaj tij pas rezultatit të dobët të CDU-së në Saksoni-Anhalt dhe rënies së mbështetjes për konservatorët në sondazhet kombëtare.
Gjatë një kongresi biznesi në Berlin, Merz deklaroi se është zgjedhur për një mandat katërvjeçar dhe se synon ta përdorë këtë periudhë për ta nxjerrë Gjermaninë nga vështirësitë aktuale.
“Jam zgjedhur për katër vjet dhe dua që këto katër vite t’i përdorim për ta nxjerrë vendin nga kjo periudhë e vështirë”, u shpreh kancelari.
Merz theksoi gjithashtu se dëshiron që koalicioni qeverisës mes CDU/CSU-së dhe socialdemokratëve të funksionojë dhe premtoi se do të angazhohet për ruajtjen e stabilitetit të tij.
“Ne duam që ky koalicion të jetë i suksesshëm dhe unë do të bëj gjithçka që kjo të jetë e mundur”, deklaroi ai.
Kancelari mbrojti punën e qeverisë së tij, duke argumentuar se në 16 muajt e parë koalicioni ka ndërmarrë më shumë reforma sesa Gjermania kishte realizuar gjatë shumë viteve të mëparshme.
Ndërkohë, presioni politik ndaj Merzit është shtuar pas zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, ku AfD-ja siguroi 43.8 për qind të votave, ndërsa CDU-ja mori vetëm 17.2 për qind.
Në sondazhet kombëtare, situata është gjithashtu e pafavorshme për konservatorët. Një sondazh i GMS-së e renditi AfD-në në një nivel rekord prej 30 për qind, ndërsa CDU/CSU ra në 20 për qind. SPD-ja qëndroi në 11 për qind.
Këto rezultate kanë nxitur diskutimet për të ardhmen politike të Merzit, ndërsa brenda CDU-së është përmendur edhe emri i Hendrik Wüst, kryeministër i North Rhine-Westphalia-s, si një kandidat i mundshëm për pasues të tij.
Megjithatë, edhe nëse do të kishte një përplasje të brendshme për lidershipin e CDU-së, kjo nuk do të sillte automatikisht shpërndarjen e Bundestagut apo zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Në rast të një largimi të Merzit nga posti, Bundestagu do të mund të zgjidhte një kancelar të ri, pa qenë domosdoshmërisht e nevojshme mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme kombëtare.
