Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe situata të vështira në disa zona të Turqisë veriperëndimore, veçanërisht në provincën Sakarya, ku sasia e reshjeve ka arritur në nivele të jashtëzakonshme.
Në disa pjesë të provincës janë regjistruar deri në 120-150 kilogramë shi për metër katror, ndërsa intensiteti i reshjeve ka bërë që përrenjtë të dalin nga shtrati dhe ujërat të përfshijnë rrugë, banesa, biznese dhe toka bujqësore.
Kryetari i bashkisë së Sakaryas, Yusuf Alemdar, e ka cilësuar situatën si të pazakontë, duke deklaruar se brenda një periudhe shumë të shkurtër është regjistruar një sasi e jashtëzakonshme reshjesh.
Për shkak të përmbytjeve, disa rrugë janë dëmtuar ose shembur, ndërsa në disa akse qarkullimi po bëhet me vështirësi dhe po ndihmohet nga mjete të rënda, përfshirë ekskavatorë dhe traktorë.
Ministria e Brendshme e Turqisë bëri të ditur se katër persona që kishin mbetur të bllokuar nga ujërat janë shpëtuar nga ekipet e AFAD-it dhe Rojës Bregdetare. Në operacionet e emergjencës janë angazhuar rreth 560 punonjës dhe 225 automjete.
Situata e rënduar nga reshjet është raportuar edhe në Moudania të Bursës, ku uji ka hyrë në banesa dhe ambiente tregtare. Ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë për të nxjerrë nga uji një nënë, tre fëmijët e saj dhe një qen.
Ndërkohë, në lagjen Kandı të Orhanelit, reshjet e dendura kanë shkaktuar edhe shembjen e një pjese të murit të një banese me tulla.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe ndërhyrjet për menaxhimin e pasojave të motit të keq.
