Një ndërprerje në sistemet e komunikimit ajror ka shkaktuar vonesa dhe ndërprerje të shumta në disa prej aeroporteve kryesore në verilindje të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur rreth 130 udhëheqës botërorë po mbërrijnë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, problemi u shkaktua nga ndërprerja e një linje rezervë me fibra optike në Nju Xhersi, pasi një ekip ndërtimi e preu aksidentalisht kabllon. Si pasojë, u vendos një ndalesë e përkohshme në tokë për aeroportet Newark Liberty, Teterboro, Philadelphia International, LaGuardia dhe John F. Kennedy. Ndërprerja preku sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Filadelfia, i cili koordinon ngritjet dhe uljet e avionëve në aeroportet e rajonit përmes radarëve dhe komunikimeve radio.
Deri në orët e para të pasdites, më shumë se 600 fluturime në aeroportet e Newark dhe Filadelfias ishin vonuar, ndërsa disa avionë u detyruan të devijonin drejt aeroporteve të tjera. Fluturimet që mbërrinin në Newark vijonin të përballeshin me kufizime. Autoritetet amerikane njoftuan se një qark alternativ komunikimi pritej të vihej në funksion, ndërsa rikthimi i plotë i linjës rezervë mund të kërkonte edhe disa orë. Situata u përkeqësua nga fluksi i lartë i udhëtarëve dhe delegacioneve ndërkombëtare që po mbërrijnë në Nju Jork për aktivitetet e OKB-së.
