Policia turke ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka hyrë me forcë në selinë qendrore të Partisë Popullore Republikane (CHP), partisë më të madhe opozitare në Turqi, për të larguar drejtuesit e shkarkuar të saj.

Ngjarja e ndodhur ka thelluar krizën politike dhe ka ngritur shqetësime për gjendjen e demokracisë në vend.

Pamjet nga Ankaraja treguan re të dendura gazi lotsjellës brenda godinës së CHP-së, ndërsa mbështetësit e partisë bërtisnin dhe hidhnin objekte drejt hyrjes për të penguar policinë, e cila theu barrikadat e improvizuara. Deri tani nuk raportohet për të lënduar.

Kriza nisi pasi një gjykatë turke shkarkoi të enjten kreun e CHP-së, Ozgur Ozel, duke anuluar rezultatet e kongresit të vitit 2023 ku ai ishte zgjedhur kryetar, me argumentin se kishte parregullsi gjatë procesit. Në vend të tij u rikthye ish-kryetari Kemal Kilicdaroglu, i cili humbi zgjedhjet presidenciale ndaj Recep Tayyip Erdogan po atë vit.

Guvernatori i Ankarasë urdhëroi të dielën evakuimin e selisë së partisë, ndërsa Ozel e cilësoi vendimin e gjykatës si një “grusht shteti gjyqësor”.

“Jemi nën sulm”, deklaroi Ozel në një video të publikuar në rrjetin social X, pak para ndërhyrjes së policisë. Pas daljes nga godina, ai iu drejtua mbështetësve duke thënë se “CHP tashmë është në rrugë dhe po marshon drejt pushtetit”.

Më pas, qindra mbështetës të opozitës marshuan drejt parlamentit turk, të shoqëruar nga forca të shumta policore. Drejtuesit e shkarkuar të CHP-së kanë bërë thirrje për protesta edhe në Stamboll.

Analistët e konsiderojnë vendimin e gjykatës si një provë të rëndësishme për balancën mes demokracisë dhe autoritarizmit në Turqi, vend anëtar i NATO-s. Sipas tyre, zhvillimet mund të forcojnë më tej pushtetin 23-vjeçar të presidentit Erdogan dhe të rrisin mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e ardhshme kombëtare në Turqi janë planifikuar për vitin 2028, por ato mund të afrohen nëse Erdogan, i cili përballet me kufizime mandati, synon të kandidojë sërish.

Ndërkohë, qeveria turke mohon akuzat se përdor sistemin gjyqësor për të goditur kundërshtarët politikë, duke insistuar se drejtësia në vend është e pavarur.

Top Channel