Të paktën 31 të burgosur janë gjetur të vdekur në një burg në Ekuadorin jugor, përfshirë 27 të varur. Katër të burgosur u vranë dhe më shumë se 30 të tjerë u plagosën në përleshjet midis bandave rivale në burgun El Oro në qytetin Machala në orët e para të së dielës.

Siç raportojnë mediat e huaja, disa orë më vonë rojet e sigurisë, të cilët ishin njoftuar për një shpërthim të ri dhune midis bandave, i gjetën të burgosurit të varur në katin e tretë të ndërtesës. Përleshjet duket se janë shkaktuar nga planet për të transferuar disa të burgosur në një burg të ndërtuar rishtazi.

Burgjet e vendit, të cilat janë të mbipopulluara, kanë qenë skena e trazirave vdekjeprurëse dhe përleshjeve të bandave, me qindra të burgosur të vdekur vitet e fundit. Vetëm dy muaj më parë, në shtator, 13 të burgosur dhe një roje u vranë në të njëjtin burg në përleshjet midis bandave rivale.

Të afërmit e të burgosurve kanë bërë thirrje që bandat rivale të ndahen, ndërsa banorët e Machalës po bëjnë thirrje që burgu, i cili ndodhet në qendër të qytetit të tyre, të zhvendoset. Një burg i ri me siguri maksimale pritet të hapet në fund të nëntorit.