Kompania teknologjike Microsoft ka kërkuar falje publike pas një ndërprerjeje të madhe të shërbimeve të saj, e cila zgjati afro 24 orë dhe preku miliona përdorues në të paktën 70 vende të botës.
Problemi shkaktoi bllokimin ose vështirësi në aksesimin e disa prej platformave kryesore të kompanisë, mes tyre Teams, Outlook dhe asistenti i inteligjencës artificiale Copilot. Situata solli pasoja për institucionet publike, bizneset dhe përdoruesit e zakonshëm.
Përmes një deklarate zyrtare, Microsoft shprehu keqardhjen për ndërprerjen dhe shqetësimet e krijuara, duke sqaruar se incidenti nuk ishte rezultat i një sulmi kibernetik dhe as nuk kishte lidhje me inteligjencën artificiale. Sipas kompanisë, shkaku ishte një përditësim i mëparshëm që lidhej me kapacitetin e rrjetit.
Pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje, kompania njoftoi se shërbimet kishin nisur të riktheheshin gradualisht, duke raportuar përmirësim të ndjeshëm dhe stabilizim të sistemeve.
Megjithatë, pasojat u ndjenë në disa sektorë. Ministri britanik përgjegjës për sigurinë kibernetike e cilësoi situatën shqetësuese dhe përçarëse, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar u raportuan ndikime edhe në aktivitetin e përditshëm të bizneseve.
Në Afrikën e Jugut, prodhuesi i verës Peter Pentz deklaroi se kishte humbur plotësisht komunikimin me eksportuesit, ndërsa në Londër disa punonjës u detyruan të largoheshin nga zyrat, pasi pamundësia për të përdorur email-in e kishte bërë të pamundur vijimin normal të punës.
