Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se vendi i tij nuk është pjesë e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe nuk ka ndërmend të përfshihet në luftimet që po zhvillohen në rajon.

Në një deklaratë publike, Macron theksoi se Franca nuk po zhvillon luftë dhe nuk do të hyjë në konflikt, duke sqaruar se veprimet e saj në rajon janë të përqendruara në mbrojtjen e qytetarëve dhe aleatëve.

“E kuptoj shumë mirë dhe e dëgjoj shqetësimin tuaj, por dua të jem shumë i qartë. Franca nuk është pjesë e kësaj lufte. Ne nuk jemi në luftë dhe nuk do të përfshihemi në këtë luftë. Franca nuk po zhvillon luftë në rajon. Ajo po mbron burrat dhe gratë franceze, aleatët e saj dhe qëndron me Libani. Ne po mobilizohemi në një mënyrë plotësisht paqësore për të siguruar trafikun detar dhe për të mbrojtur rrugët detare strategjike”, shtoi ai.

Sipas raportimeve, Parisi ka dërguar mjete shtesë ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle, për të ndihmuar aleatët në kapjen e dronëve dhe raketave, si dhe për të siguruar që rrugët detare, të cilat janë thelbësore për ekonominë globale, të mbeten të hapura.

Macron gjithashtu bëri të ditur se Franca po punon për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar për mbrojtjen e këtyre rrugëve detare dhe për të vepruar sa më arsyeshëm dhe paqësisht të jetë e mundur.

“Ne do të përpiqemi të jemi sa më të arsyeshëm dhe paqësorë të jetë e mundur, sepse ky është roli i Francës”, përfundoi Macron.