Dhjetëra mijëra persona dolën në rrugë në Itali për të mbështetur popullin e Gazës në një grevë të përgjithshme të thirrur nga sindikatat bazë. Protestat, që u zhvilluan në shumë qytete të vendit, përfshinë edhe momente tensioni dhe dhune, sidomos në Milano ku situata u tensionua seriozisht.

Para Stacionit Qendror të Milanos, demonstruesit mbajtën flamuj palestinezë dhe thyen xhamat e hyrjes kryesore, duke shkaktuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa më shumë se dhjetë protestues u arrestuan dhe rreth 60 policë u plagosën, 23 prej të cilëve u dërguan në spital.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dënoi ashpër dhunën dhe shkatërrimet, duke theksuar se kjo sjellje nuk ka lidhje me solidaritetin ndaj popullit të Gazës dhe vetëm dëmton qytetarët italianë. Ajo bëri thirrje për dënim të qartë nga organizatorët e grevës dhe të gjitha partitë politike.

Protestat u zhvilluan edhe në Romë, ku në rrugët e kryeqytetit dolën mbi 50 mijë persona, si dhe në qytete të tjera si Xhenova, Livorno dhe Bolonjë, ku pati bllokime të porteve dhe autostradave. Në Bolonjë, një grup protestuesish ndërpreu trafikun në autostradën A14 duke përdorur bomba tymi dhe flamuj. Po ashtu, në disa universitete u bllokuan hyrjet, dhe rreth njëqind studentë tentuan të hyjnë në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin Sapienza të Romës.

Kjo valë protestash vjen si reagim ndaj situatës së rëndë humanitare në Gaza dhe mbështetjes për popullin palestinez, por skenat e dhunës dhe shkatërrimeve kanë shkaktuar reagime të forta në Itali.