Shumica e anëtarëve të BE-së pajtohen se duan të përdorin asetet e ngrira të Rusisë për të ndihmuar Ukrainën. Ja një përmbledhje e të gjitha pyetjeve dhe përgjigjeve kryesore.

Çfarë janë asetet e ngrira dhe kush i ngrin ato?

Asetet e ngrira janë fonde financiare ose prona që pronari nuk mund t’i qaset dhe nuk mund t’i përdorë për ndonjë transaksion ose transferim, për shkak të kufizimeve të vendosura nga një qeveri – ose bllok shtetesh, si BE-ja.

Në rastin e Rusisë janë ngrirë si asetete saj shtetërore – në formën e parave të gatshme, obligacioneve dhe letrave me vlerë të mbajtura jashtë vendit – ashtu edhe asetet private si jahte dhe pasuri të paluajtshme në pronësi të miliarderëve rusë të sanksionuar.

Asetet zakonisht bllokohen nëpërmjet sanksioneve.

“Zbatimi i ngrirjeve varet nga institucionet financiare”, siç janë bankat tregtare ose depozitat qendrore të letrave me vlerë (CSD) të cilat duhet të bllokojnë transaksionet dhe të ndërpresin aksesin në asetet e ngrira, tha për DW Agathe Demarais, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë (ECFR).

Pse u ngrinë asetet ruse?

Asetet ruse u ngrinë si rezultat i sanksioneve perëndimore pasi ajo pushtoi pjesërisht Ukrainën në vitin 2022. Masa kishte për qëllim të kufizonte Rusinë financiarisht dhe të siguronte që ajo nuk mund t’i përdorte ato para për të financuar luftën.

Disa ekspertë thonë se prania e pjesës më të madhe të aseteve të ngrira ruse në shtetet anëtare të BE-së i ofron bllokut një levë kyçe në nxitjen e bisedimeve të paqes në Ukrainë.

Ku janë asetet ruse?

Nga një total prej rreth 300 miliardë eurosh në asete të ngrira, rreth 210 miliardë euro asete mbahen nën juridiksionet e shteteve anëtare të BE-së.

Pjesa tjetër është e shpërndarë në SHBA, Japoni, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër dhe Kanada.

Por pjesa më e madhe – 180 miliardë euro – është në një institucion të quajtur Euroclear në Belgjikë.

Çfarë është Euroclear dhe pse është kundër përdorimit nga BE të aseteve të Rusisë?

Euroclear është një firmë e madhe e infrastrukturës së tregut financiar, e quajtur depozitë letrash me vlerë.

Euroclear është e shqetësuar se sekuestrimi i parave ruse do të dëmtojë reputacionin e saj midis investitorëve ndërkombëtarë dhe madje mund të shkaktojë padi nga Moska. Banka Qendrore e Rusisë ka vendosur tashmë të padisë Euroclear për 200 miliardë euro – për të rikuperuar si paratë e ngrira ashtu edhe interesin e humbur.

Cilat vende duan të përdorin asetet e Rusisë dhe për çfarë?

Shumica e vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, duan që Rusia të paguajë për dëmet që ka shkaktuar gjatë agresionit në Ukrainë.

Prandaj, asetet e ngrira mund të përdoren si për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës ashtu edhe për të rindërtuar vendin.

Cilat vende ngurrojnë përdorimin e aseteve të Rusisë dhe pse?

Nga një perspektivë ligjore, përdorimi i aseteve të ngrira ruse është një fushë e ndërlikuar dhe ka pasur një debat të gjerë nëse këto asete, veçanërisht shuma kryesore, mund të përdoren ligjërisht për të ndihmuar Ukrainën.

Belgjika ka vënë veton ndaj përdorimit të aseteve të ngrira për shkak të frikës se mund të ketë probleme ligjore me Moskën. Ajo është gjithashtu e shqetësuar se do të jetë e detyruar të paguajë shumën dikur nëse Moska kërkon.

Përveç kësaj, Italia si dhe Malta dhe Bullgaria, i kanë kërkuar BE-së të kërkojë mënyra alternative për të financuar nevojat e Ukrainës.

Çfarë po ndodh me asetet e ngrira?

Ato mbeten të ngrira ose, siç thotë BE, të palëvizshme. Kjo do të thotë që çdo transaksion ose transferim në Rusi bllokohet.

Vitin e kaluar, BE-ja vendosi të përdorë fitimet nga asetet në Euroclear dhe i pagoi këstin e parë prej 1.5 miliardë eurosh Ukrainës në mesin e vitit 2024.

Cili është qëndrimi i SHBA-së për përdorimin e aseteve të Rusisë?

Nën Presidentin Joe Biden, SHBA-ja, ku ka më pak se 5 miliardë euro asete ruse – ishte dakord për përdorimin e fitimeve për të ndihmuar Ukrainën. Administrata aktuale Trump dëshiron të përdorë një pjesë të aseteve të ngrira ruse për projekte të përbashkëta me Moskën.

Megjithatë, ekspertët thonë se SHBA-ja mund të vendosë vetëm se çfarë të bëjë me asetet që ndodhen në juridiksionin amerikan dhe jo me ato në vendet e BE-së.

Çfarë thotë plani paqësor i Trumpit për asetet e ngrira?

Sipas versionit të publikuar të propozimit fillestar të paqes prej 28 pikash të Presidentit Trump, 86 miliardë euro (100 miliardë dollarë) në asete të ngrira ruse do të investoheshin në “përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-të për të rindërtuar dhe investuar në Ukrainë”, ku SHBA-ja do të merrte 50% të fitimeve. Sipas Demarais të ECFR, Trump synon t’i tërheqë këto para nga asetet ruse të ngrira në Evropë dhe t’i përdorë ato për të përfituar si qeveria amerikane ashtu edhe kompanitë amerikane.

Pjesa tjetër e fondeve të ngrira, ende më shumë se 200 miliardë euro, do të investoheshin në një fond të përbashkët investimi SHBA-Rusi, “për të krijuar një nxitje të fortë ekonomike dhe për të shmangur konfliktet e reja”, sipas propozimit. Megjithatë, sipas Demarais, me këtë do të përfitonin vetëm Uashingtoni dhe Moska, por jo Ukraina.

Cilat janë problemet e brendshme të BE-së lidhur me asetet ruse?

Fillimisht, ngrirja e aseteve ruse rinovohej çdo gjashtë muaj. Dhe sa herë që vinte në dispozicion për rinovim, ekzistonte frika se Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, miqësor ndaj Rusisë, mund të vinte veton. Vendimi i BE-së për të “ngrirë për një kohë të pacaktuar” asetet ruse arrin dy qëllime: Parandalon nevojën për rinovim të vendimit dhe rrjedhimisht anashkalon veton e mundshme të Hungarisë, por gjithashtu mbron fondet nga SHBA-ja.

“Në thelb, ai i vendos asetet jashtë mundësive të SHBA-së, duke i komplikuar planet e Trump për t’i transferuar asetet te firmat amerikane ose në një fond investimi SHBA-Rusi”, shpjegoi Demarais. “Ky veprim gjithashtu hap rrugën që BE-ja t’i japë një kredi Ukrainës.” /DW/