Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Berkshire të Anglisë, ku një 32-vjeçar që dyshohet se i vuri zjarrin dy automjeteve, për pak sa nuk u bë vetë viktimë e flakëve.
Krzysztof Orzechowski dyshohet se sulmoi dy makina të parkuara pranë një banese familjare, duke shkaktuar një zjarr që përfshiu edhe pronën dhe solli dëme të konsiderueshme.
Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë momentin kur 32-vjeçari, pasi kishte ndezur zjarrin, tenton të largohet me vrap ndërsa flakët i kishin përfshirë trupin.
Por problemet e tij me drejtësinë nuk përfunduan aty.
Gjashtë ditë pas incidentit, policia identifikoi një automjet të lidhur me Orzechowskin dhe i dha urdhër të ndalonte. Ai nuk iu bind efektivëve dhe u largua, duke shkaktuar një ndjekje në rrugët rurale të Berkshire.
Sipas Policisë së Luginës së Thames, 32-vjeçari arriti shpejtësi deri në 100 milje në orë, rreth 160 kilometra në orë, ndërsa kreu manovra të rrezikshme dhe parakalime.
Ndjekja përfundoi pasi Orzechowski humbi kontrollin e automjetit në një kthesë dhe u përplas. Pavarësisht aksidentit, ai nuk pësoi dëmtime serioze dhe u arrestua nga policia.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor, 32-vjeçari u shpall fajtor për zjarrvënien ndaj dy automjeteve dhe dëmet e shkaktuara. Ai u dënua me 5 vite e 7 muaj burg.
