Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka bërë thirrje Katarit që të dëbojë ose të ndjekë penalisht udhëheqësit e Hamasit që strehohen në territorin e tij, duke paralajmëruar se përndryshe Izraeli do të veprojë vetë.

“Katarit dhe çdo vendi që strehojnë terroristë u them: ose i dëboni, ose i sillni para drejtësisë. Sepse, nëse nuk e bëni këtë, ne do ta bëjmë vetë”, deklaroi Netanyahu.

Thirrja e tij erdhi një ditë pas sulmeve ajrore të Izraelit në Doha, ku u shënjestruan zyrtarë të lartë të Hamasit. Organizata palestineze, e shpallur terroriste nga SHBA dhe BE, konfirmoi se gjatë sulmit u vranë gjashtë persona, përfshirë djalin e kryenegociatorit Khalil al-Hayya, tre roje dhe një zyrtar të sigurisë së Katarit, por udhëheqësit kryesorë i shpëtuan sulmit.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u zotua se shteti hebre do të “veprojë kundër të gjithë armiqve, kudo që ndodhen”.
“Nuk ka vend ku mund të fshihen. Kushdo që mori pjesë në masakrën e 7 tetorit do të mbahet përgjegjës”, shkroi ai në platformën X.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ishte dakord me këtë vendim të Izraelit dhe kishte paralajmëruar Katarin për sulmet, megjithëse Doha deklaroi se paralajmërimin e mori vetëm pasi bombardimet kishin nisur.

Katar, që strehon selinë politike të Hamasit, ka luajtur rol kyç së bashku me SHBA dhe Egjiptin në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve.

Sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi shkaktoi rreth 1.200 viktima dhe rrëmbimin e 251 personave në Izrael, ndërsa ofensiva izraelite që pasoi ka vrarë mbi 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza – shifra që OKB i konsideron të besueshme.