Pentagoni po përgatit të paktën 4 skenarë për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Europë. Sipas një dokumenti të siguruar nga Reuters, këto opsione do t’i paraqiten Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth deri më 6 nëntor në kuadër të rishikimit të pranisë së forcave amerikane në kontinent.

Rishikimi, i shpallur në qershor dhe që pritet të përfundojë në dhjetor, ka ngritur shqetësime mes aleatëve europianë të NATO-s, të cilët u druhen një reduktimi të shkallës së gjerë të rreth 80 mijë trupave amerikane të dislokuara në Europë, si ndëshkim për qëndrimin e aleatëve në luftën me iranin.

Dokumenti nuk sqaron se cilët janë konkretisht katër skenarët, por një zyrtar i lartë i Pentagonit ka deklaruar se administrata po shqyrton një gamë të gjerë opsionesh, që variojnë nga ruajtja e pranisë aktuale deri te reduktimi i forcave dhe ndryshimi i dislokimit të tyre.

Në vlerësim do të merret parasysh edhe kontributi i aleatëve. Pentagoni do të shqyrtojë shpenzimet e tyre për mbrojtjen, kapacitetet ushtarake dhe gatishmërinë për t’u ofruar forcave amerikane akses në baza dhe hapësirën ajrore.

Administrata Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet europiane të marrin një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë e kontinentit.

Sipas Reuters, përgjigjet e aleatëve ndaj një pyetësori të Pentagonit pritet të ndihmojnë në përcaktimin e skenarëve që do të shqyrtohen përfundimisht nga Sekretari i Mbrojtjes.