Courtney Clenney, ish-modelja e OnlyFans, është dënuar me gjashtë vite burg pasi u deklarua fajtore për vrasje nga pakujdesia me armë të rrezikshme, lidhur me vdekjen e të dashurit të saj, Christian “Toby” Obumseli.
30-vjeçarja pranoi marrëveshjen me prokurorinë dhe, përveç dënimit me burg, do të jetë nën mbikëqyrje në komunitet për pesë vite pas përfundimit të dënimit.
Ngjarja ndodhi më 3 prill 2022, në apartamentin ku çifti jetonte në Miami. Obumseli, 27 vjeç, u plagos me thikë dhe humbi jetën si pasojë e plagës.
Clenney kishte deklaruar më herët se veproi në vetëmbrojtje, duke pretenduar se e kishte hedhur thikën drejt të dashurit nga një distancë. Prokuroria e kundërshtoi këtë version dhe çështja u shndërrua në një proces të gjatë gjyqësor.
Fillimisht, Clenney përballej me akuzën për vrasje të shkallës së dytë. Pas marrëveshjes me prokurorinë, akuza u reduktua në vrasje nga pakujdesia me armë të rrezikshme dhe ajo pranoi fajësinë, duke shmangur një gjyq të plotë.
Marrëdhënia mes Clenney dhe Obumselit ishte përshkruar si konfliktuale, ndërsa të dyja palët kishin dhënë versione të ndryshme mbi dinamikën e lidhjes së tyre.
Avokatët e Clenney kishin planifikuar të paraqisnin prova për të argumentuar se ajo kishte qenë viktimë e abuzimit nga Obumseli. Nga ana tjetër, familja e 27-vjeçarit ka pretenduar se ai ishte viktimë e abuzimit nga Clenney.
Pas ngjarjes, Clenney u arrestua në Hawaii dhe që prej vitit 2022 ka qëndruar në paraburgim. Koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënimin e saj gjashtëvjeçar.
Sipas raportimeve, për shkak të kohës së vuajtur tashmë dhe në varësi të krediteve dhe kushteve të dënimit, ajo mund të ketë rreth dy vite të mbetura për të vuajtur.
