Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj Rusisë që do të përfshinte “elementë bërthamorë” do të sillte pasoja të rënda për kundërshtarët e saj. Deklaratat u bënë në përvjetorin e katërt të nisjes së luftës në Ukrainë.
Reagimi i tij erdhi pasi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme ruse (SVR) ngriti shqetësime për një transferim të mundshëm të teknologjisë së armëve bërthamore drejt Ukrainës nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Sipas Putinit, kundërshtarët e Moskës po përdorin “shantazh atomik” dhe nuk kanë arritur të shkaktojnë një humbje strategjike ndaj Federatës Ruse.
Gjatë një mbledhjeje me drejtuesit e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), ai paralajmëroi për rritje të rrezikut të sabotimeve, përfshirë ndaj gazsjellësve “Turkish Stream” dhe “Blue Stream” në Detin e Zi. Presidenti rus theksoi se numri i sulmeve terroriste në territorin rus është shtuar, duke akuzuar shërbimet ukrainase të inteligjencës si përgjegjëse kryesore.
Putin kërkoi forcim të masave të sigurisë, veçanërisht për zyrtarët e mbrojtjes, industrinë ushtarake, infrastrukturën energjetike dhe transportin, si edhe në hapësirat publike. Ai theksoi se kapacitetet e shërbimeve të sigurisë duhet të përdoren plotësisht për të neutralizuar çdo kërcënim ndaj shtetit rus.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se çdo tentativë për të ndryshuar statusin jo-bërthamor të Ukrainës apo për ta pajisur atë me armë bërthamore do të konsiderohej e papranueshme. Sipas saj, një veprim i tillë do të përbënte përshkallëzim ekstrem dhe do të cenonte regjimin ndërkombëtar të mos-përhapjes së armëve bërthamore.
Sipas mediave shtetërore ruse, zyrtarë në Moskë kanë bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara do të informohen për çdo zhvillim që lidhet me këtë çështje. Rusia, e cila ka përditësuar doktrinën e saj bërthamore gjatë vitit 2024, thekson se armët bërthamore i konsideron si mjet parandalues në kuadër të mbrojtjes së sigurisë kombëtare.
