Vendimi i ri në Gjermani rrallon edhe më shumë numrin e vizitorëve në objektet e kultit 


Kisha katolike në Gjermani vendosi t’u refuzojë shërbimin e rrëfimit dhe varrosjes fetare të gjithë besimtarëve të vet, në rast se këta të fundit nuk paguajnë taksën speciale të kishës. Dekreti i kardinalëve të Gjermanisë sapo ka hyrë në fuqi dhe deklaron se ata që nuk paguajnë taksën prej 8 për qind mbi të ardhurat e veta, nuk do të konsiderohen më katolikë, bën të ditur BBC.


Priftërinjtë janë alarmuar nga numri i madh i katolikëve që nuk shkojnë më në kishë. Të gjithë gjermanët që janë regjistruar zyrtarisht si katolikë, protestantë apo hebrenj, paguajnë një taksë të posaçme për religjionin në masën 8-9 për qind të të ardhurave të tyre vjetore. Kjo taksë është vendosur në shekullin e 19 si një kompensim për shtetëzimin e pronave fetare. “Nëse fatura juaj fiskale është 10 mijë euro, mbi këtë duhet të paguhen edhe 800 euro të tjera taksë për kishën”, komentoi një llogaritar në Munih.


Katolikët përbëjnë 30 për qind të popullatës së Gjermanisë, por në vitin 2010, edhe 181 mijë vetë iu shtuan atyre që braktisën kishën të shtyrë nga zbulimi i skandaleve të pedofilisë. Priftërinjtë shtruan pyetjen mbi taksën kur një profesor i ligjit të kishës në pension deklaroi se nuk do ta paguajë më taksën, pavarësisht se mbetej katolik në besim. Një çështje e stërzgjatur gjyqësore po zhvillohet mbi vendimin e këtij akademiku.


Vendimi i kardinalëve sanksionon se askush nuk mund ta lërë kishën në mënyrë të pjesshme. Ky vendim është miratuar edhe nga Vatikani. Për sa kohë katolikët nuk paguajnë taksën, nuk do të marrin shërbime fetare me përjashtim të rrëfimit para vdekjes dhe as nuk do të lejohen të punojnë në kishë, në shkollat apo spitalet e kishës. Vendimi shton gjithashtu se nëse nuk merren të dhëna për pendim para vdekjes, edhe vetë varrimi fetar mund të refuzohet.


Dekreti nga njëra anë kufizon rëndë pjesëmarrjen aktive te shërbesat e kishës për besimtarët evazorë, por lejon edhe pendimin dhe rikthimin e tyre te rruga e Zotit. Vendimi nuk përmend shkishërimin si term, megjithëse kufizimet që përdor janë pothuajse të njëjta me aktin më ekstrem, që kisha katolike mund të ushtrojë mbi besimtarët e vet.


Katolikët në Gjermani janë 25 milionë vetë dhe taksat që ata paguajnë arrijnë në 5 miliardë euro në vit. Protestantët janë 24 milionë dhe mbledhin rreth 4.3 miliardë euro taksa.