Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se nuk heq dorë nga posti i kryeministrit, madje do të jetë në këtë post deri në zgjedhjet e ardhshme të 2029-ës.

Kjo deklaratë bëhet pasi kanë filluar të ravijëzohen emrat e rivalëve të tij për postin e kryeministrit, pas rezultatit katastrofal në zgjedhjet lokale dhe rajonale në Britani, ku Laburistët në pushtet pësuan një humbje të thellë që ka çuar në përpjekjet për largimin e kryeministrit nga detyra.

Siç raporton korrespondenti i Top-Channel, Arben Manaj, në një deklaratë të bërë këtë të hënë në Londër, kryeministri në detyrë Sir Keir Starmer ka thënë se dëshiron të jetë kryeministër i Laburistëve deri në zgjedhjet e reja të përgjithshme në 2029. Ai këmbënguli se të qenit kryeministër nuk ka përfunduar ende.

Starmer po ashtu u shpreh se nuk do të fiksojë një afat kohor për largimin nga posti edhe nëse kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, do të arrijë të rifutet në Parlament si kusht për të konkurruar për postin e kryeministrit, nëse ai fton më parë zgjedhjet e parakohshme në një zonë elektorale e cila gëzon një mbështetje të fortë nga partia populiste Reforma e “Babait të Brexit”, Nigel Farage.

Ndërkohë ish-ministri i Starmer për Shëndetësinë, Wes Streeting, i cili ka dhënë dorëheqjen nga posti, do të jetë një nga kandidatët për të zëvendësuar Starmer nëse do të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Partisë Laburiste. Humbja e rëndë e Laburistëve në zgjedhjet e 7 majit bën që një e treta e deputetëve në radhët e Laburistëve në parlamentin britanik të kërkonin largimin e kryeministrit Starmer.

Çdo kandidat për ta zëvendësuar Starmer si rregull do të duhet të gëzojë mbështetjen e 20 për qind të deputetëve laburist në Parlament, kur Laburistët kanë 403 deputetë, çka do të thotë se çdo rival zyrtar duhet të ketë 82 vota që e mbështesin në garë. Sidoqoftë si të ndodhë dhe kurdo që të ndodhë, një gjë është e sigurt, se Starmer do të vazhdojë të jetë kryeministër i Britanisë gjatë tërë periudhës së verës, ndoshta deri nga fundi i shtatorit. Kjo periudhë pritet të krijojë parehati për investitorët e shqetësuar për kostot e huamarrjes qeveritare.

Gara ka shumë të panjohura deri në momentin kur do të zhvillohet, si për nga kandidatët zyrtarë përfundimtarë që do të konkurrojnë me Starmer, ashtu edhe për temat e debatit ku çështja e Brexit-it dhe rifutja e Britanisë në BE do të jenë të vështira për çdo kandidat që nuk shprehen publikisht se çfarë do të donin privatisht, kur përballë kanë një populist si Farage që do të luajë çdo gur në eliminimin e kryebashkiakut të Mançesterit nga gara për postin e kryeministrit për të ekspozuar dy kandidatët potencialë për kryeministrin e ri të ardhshëm ose atë ekzistuesin, që Laburistët për momentin mendojnë se nuk duhet të jetë Keir Starmer.