Pas komenteve të bëra nga J. D. Vance gjatë një vizite në Hungari, Shtëpia e Bardhë ka mohuar kategorikisht çdo interpretim se SHBA po shqyrton përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iran.
Në deklaratën e tij, Vance u shpreh se pret një përgjigje nga Teherani lidhur me ultimatumin amerikan brenda mbrëmjes, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë në dispozicion mjete të tjera që ende nuk janë përdorur dhe që mund të aktivizohen nëse Irani nuk ndryshon qëndrim.
Deklaratat e tij u interpretuan nga disa si një sinjal i mundshëm për përdorimin e armëve bërthamore. Megjithatë, reagimi zyrtar nga Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si keqinterpretime.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, administrata amerikane theksoi se asnjë nga komentet e zëvendëspresidentit nuk lidhet me armët bërthamore, duke kërkuar që deklaratat të mos nxirren jashtë kontekstit.
