“Kjo është shtëpia ime, duhet ta mbroj.”, është fraza ikonike e Kevin McCallister në “Home Alone”, kur ai mbylli derën dhe nisi fortifikimin e shtëpisë së tij për t’u mbrojtur nga pushtuesit.
Pas këtyre fjalëve, tingujt e “Carol of the Bells” fillojnë të dëgjohen dhe bëhen pjesë e pandashme e atmosferës festive të Krishtlindjeve, veçanërisht në SHBA.
Por kjo këngë nuk ka qenë gjithmonë simbol i Krishtlindjeve. Në fakt, ajo ka një histori shumë më të thellë dhe më të fortë: origjinën e ka si një himn sfidues i ukrainasve kundër pushtuesve rusë.
Ajo është veçanërisht e rëndësishme sot, teksa Ukraina po lufton për të mbrojtur qytetin Pokrovsk nga pushtuesit rusë, një vend që është i lidhur thellë me kompozitorin Mykola Leontovych, i cili e shkroi “Carol of the Bells” (fillimisht e quajtur Shchedryk). Ky është qyteti ku ai jetoi dhe u frymëzua për këtë melodi që shndërrohet më vonë në një simbol të luftës dhe qëndrueshmërisë kombëtare ukrainase.
Në vitin 1922, një kor ukrainas e çoi këtë këngë në një tur në Evropë për të promovuar kulturën dhe pavarësinë e Ukrainës, një mision që kishte të bënte me shpalljen e identitetit të kombit dhe përpjekjen për të dalë nga hijet e Rusisë.
Megjithatë, Rusia e pa gjithnjë këtë lëvizje si një kërcënim. Kompozitori Leontovych, përpjekjet e të cilit për të afirmuar kulturën ukrainase, u pagua shtrenjtë. Ai u vra nga agjentët sovjetikë në vitin 1921, një krim që u fsheh për shumë vite.
Sot, 105 vjet pas vrasjes së tij, qyteti i Leontovych është sërish nën sulm. Pjesë të Pokrovskut janë shkatërruar në luftën që vazhdon të marrë jetë, por gjithashtu, forcat ukrainase po luftojnë me vendosmëri për ta mbajtur qytetin dhe për t’i dhënë fund përpjekjeve ruse për ta pushtuar.
Në këtë kontekst, “Carol of the Bells” merr një kuptim shumë më të thellë se sa një thjesht këngë Krishtlindjesh. Ajo është një simbol i luftës për liri, për pavarësi dhe për identitet kombëtar.
Sot, ndërsa Ukraina vazhdon të luftojë për mbijetesën e saj, ajo është ende e angazhuar të ruajë vlerat e saj dhe të mos dorëzohet, ashtu si Kevin McCallister që mbrojti shtëpinë e tij nga pushtuesit. Një mesazh për të gjithë ata që janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për mbrojtjen e atdheut të tyre.
“Ne do të vazhdojmë të shkatërrojmë armikun,” tha një nga komandantët ukrainas, duke theksuar që lufta për pavarësinë e Ukrainës është po aq e fuqishme dhe e vendosur sa ajo që e frymëzoi Leontovychin të shkruante Shchedryk – dhe të mbrojnë me çdo çmim atdheun e tyre.
