Rusia duket se po vendos gradualisht raketa të reja balistike hipersonike me kapacitet bërthamor, në një ish-bazë ajrore në Bjellorusinë lindore, një zhvillim që mund të rrisë ndjeshëm aftësinë e saj për të goditur objektiva në të gjithë Evropën, sipas dy studiuesve amerikanë që analizuan imazhet satelitore.

Vlerësimi i tyre, sipas një burimi të njohur me çështjen dhe që flet në kushte anonimiteti, përputhet gjerësisht me gjetjet e inteligjencës amerikane, informon “Reuters”. Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë të qartë tashmë qëllimin e tij për të vendosur raketa Oreshnik me rreze të mesme veprimi në Bjellorusi, me një rreze veprimi të vlerësuar deri në 5,500 kilometra, megjithëse vendndodhja e saktë nuk është bërë ende e ditur.

Ekspertët, të cituar nga agjencia, e shohin vendosjen e mundshme të Oreshnikëve si një tjetër shenjë të mbështetjes në rritje të Kremlinit ndaj kërcënimeve bërthamore, në një përpjekje për të penguar anëtarët e NATO-s nga mbështetja e mëtejshme e Ukrainës me armë që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit rus. Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, ndërsa ambasada bjelloruse nuk pranoi të komentonte.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Belta” citoi ministrin bjellorus të Mbrojtjes, Viktor Khrenin, të thoshte se vendosja e Oreshnikëve nuk e ndryshon ekuilibrin e pushtetit në Evropë dhe është një “përgjigje” ndaj “veprimeve agresive” të Perëndimit. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi dhe CIA gjithashtu refuzoi të komentonte.