Në samitin e fundit në Bruksel, udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë përballur me një zgjedhje strategjike me pasoja të gjera: të pranojnë një marrëveshje tregtare të shpejtë dhe të favorshme për Shtetet e Bashkuara, ose të vazhdojnë të negociojnë për kushte më të barabarta.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi para liderëve propozimet më të fundit nga Uashingtoni. Në krahun e mbështetësve për një marrëveshje të shpejtë qëndron kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili ka kërkuar një model të ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe. Por Franca mban një qëndrim më të fortë, duke kërkuar më shumë përfshirje të shërbimeve amerikane në negociata.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është në favor të një marrëveshjeje të menjëhershme dhe ka deklaruar gatishmërinë për të pranuar tarifa 10%, njësoj si në marrëveshjen britanike.

Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump ka kërcënuar publikisht se do të rrisë tarifat deri në 50% mbi mallrat evropiane nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda muajit korrik. Megjithatë, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë theksoi dje se afati i 9 korrikut nuk është vendimtar, edhe pse “vendimi përfundimtar mbetet në dorën e presidentit”.

Ndërkohë, Trump ka njoftuar në rrjetet sociale një marrëveshje tregtare me Kinën dhe një tjetër që pritet së shpejti me Indinë, pa dhënë detaje.

Sipas gazetares Francesca Basso, SHBA nuk ka treguar vullnet për të hequr të gjitha tarifat mbi produktet industriale. Ky ngurrim ka rritur shqetësimet në Bruksel për një marrëveshje potencialisht asimetrike, ku Evropa lëshon më shumë se sa përfiton. Aktualisht, produktet evropiane përballen me tarifa prej 10% deri në 50%, përfshirë 25% për automjetet dhe 50% për çelikun dhe aluminin.

Negociatat po drejtohen nga komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, pasi tregtia mbetet një kompetencë ekskluzive e BE-së. Debati qendror është nëse BE do të pranojë një normë fikse doganore, si dhe nëse do të arrijë marrëveshje sektoriale të ngjashme me ato të arritura me Mbretërinë e Bashkuar.