Një gjeneral i lartë i ushtrisë amerikane ka deklaruar se Kina ka kaluar në një nivel të ri fuqie ushtarake, duke mos u konsideruar më thjesht një “rival i afërt”, por një kundërshtar i barabartë me Shtetet e Bashkuara në shumë tregues të fuqisë kombëtare.

Deklarata është bërë nga Stephen Sklenka, zëvendës komandant për instalimet dhe logjistikën në Korpusin e Marinës së SHBA-së, në një intervistë për “The War Zone”, ku ai theksoi se Kina përfaqëson kërcënimin më të madh për sigurinë globale.

Sipas tij, një përplasje e mundshme me Kinën do të ishte shumë më e ashpër se konfliktet e tjera aktuale, për shkak të kapaciteteve të saj ekonomike dhe ushtarake në rritje të shpejtë.

Gjenerali vuri në dukje se Pekini po synon të rrisë ndikimin global dhe të sfidojë dominimin amerikan, duke investuar fuqishëm në industrinë ushtarake, përfshirë ndërtimin e anijeve, prodhimin e municioneve dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara.

Ai theksoi gjithashtu se Kina ka tejkaluar SHBA-në në disa fusha të prodhimit industrial, ndërsa programet e saj për nëndetëse dhe raketa po zgjerohen me ritme të shpejta.

Sipas Sklenkës, bazat ushtarake amerikane nuk mund të konsiderohen më zona të sigurta, pasi në një konflikt modern ato mund të bëhen objektiva direkte, jo vetëm për sulme tradicionale, por edhe për sulme kibernetike, dronë dhe fushata dezinformuese.

Ai bëri thirrje për forcim të mbrojtjes së infrastrukturës ushtarake dhe investime urgjente në sisteme kundër dronëve dhe siguri kibernetike, duke paralajmëruar se luftërat e ardhshme do të përfshijnë mbrojtjen e bazave po aq sa edhe operacionet ushtarake.