Një person është arrestuar në Poloni, i dyshuar për kërcënime dhe përfshirje në një komplot të mundshëm për vrasjen e kryeministrit Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.

Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri polak përmes një postimi në rrjetin social X, ku falënderoi policinë për ndërhyrjen e shpejtë.

“Burri që kërcënoi me sulm u arrestua”, shkroi Tusk.

Më herët, Ministria e Brendshme polake kishte njoftuar se shërbimet e inteligjencës dhe autoritetet e sigurisë kishin marrë informacione për një atentat të mundshëm ndaj dy zyrtarëve të lartë të vendit.

Pas këtyre informacioneve u mbajt një takim urgjent i strukturave polake të sigurisë. Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Karolina Galecka, bëri të ditur se ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, dhe koordinatori i shërbimeve speciale, Tomasz Siemoniak, kishin urdhëruar ndërmarrjen e masave për trajtimin e çështjes.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje të mëtejshme mbi identitetin e të arrestuarit, motivet e dyshuara apo mënyrën se si ishte planifikuar sulmi.