Një figurë e lartë pranë Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Gjeneral Major Ebrahim Jabbari, deklaroi se Irani deri tani ka angazhuar vetëm një pjesë të kufizuar të arsenalit të tij në sulmet me raketa ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në rajon. Sipas tij, qindra predhat e lëshuara janë marrë nga rezerva dytësore, duke lënë të kuptohet se kapacitetet kryesore mbeten të paprekura. “Në vijim, do të shfaqim armë që kundërshtarët tanë nuk i kanë parë më parë”, u shpreh ai.
Jabbari theksoi se Teherani është i përgatitur për një përballje të zgjatur, madje edhe për një ritëm të përditshëm sulmesh për një periudhë deri në dy vjet. Ai shtoi se sistemet më të sofistikuara të vendit – përfshirë teknologjitë hipersonike dhe flotën e dronëve – nuk janë aktivizuar ende në këtë fazë të konfliktit.
Sipas tij, goditjet e ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli nuk kanë arritur të dëmtojnë infrastrukturën më të ndjeshme, veçanërisht objektet e ndërtuara nën tokë dhe të fortifikuara. Kjo, në vlerësimin e tij, e vendos Iranin në një pozicion të qëndrueshëm mbrojtës.
Ish-komandanti i njësisë elitare “Vali Am”, që merret me sigurinë e Udhëheqësit Suprem, nënvizoi se raketat më të avancuara ruhen në komplekse të përforcuara dhe të thelluara, të cilat ai i përshkroi si struktura të mëdha dhe të mbrojtura në mënyrë të posaçme. Në përfundim, Jabbari deklaroi se forcat e armatosura iraniane ndodhen në nivel maksimal gatishmërie dhe se faza e parë e sulmeve nuk ka prekur pikat kyçe të depozitimit strategjik.
