Një sulm i tmerrshëm me armë zjarri ka ndodhur jashtë një kishe mormone në Salt Lake City, në shtetin e Utah-ut, ku dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në parkingun e një shtëpie mbledhjesh të Kishës së Jezus Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e njohur si kisha mormone. Sipas policisë, të paktën tetë persona u qëlluan me armë, ndërsa dy prej tyre ndërruan jetë për shkak të plagëve. Tre të plagosur janë në gjendje kritike, ndërsa të tjerët janë të plagosur më lehtë, por nuk ka ende informacion të plotë për gjendjen shëndetësore të tyre.

Në momentin e të shtënave, dhjetëra persona ndodheshin brenda kishës, duke marrë pjesë në një funeral. Të gjitha viktimat janë të rritura, dhe autoritetet kanë sqaruar se ngjarja nuk është konsideruar si një sulm i motivuar nga urrejtja fetare. Shefi i policisë, Brian Redd, theksoi se nuk ka prova që ngjarja të ketë pasur një lidhje me ndonjë fe të caktuar, dhe se sulmi nuk ishte i rastësishëm.

Në vendngjarje mbërritën rreth 100 automjete të forcave të rendit, ndërsa zona u monitorua edhe nga helikopterë. Kryetarja e bashkisë së Salt Lake City, Erin Mendenhall, e quajti ngjarjen si tronditëse, duke shprehur shqetësimin e saj se një vend i shenjtë u kthye në skenë dhune gjatë një ceremonie përkujtimore.

Kisha mormone ka njoftuar se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet dhe ka shprehur mirënjohje për ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve emergjente. Ata kanë theksuar gjithashtu shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në një hapësirë të shenjtë.

Ky incident ka ndodhur disa javë pas një ngjarjeje të ngjashme në Michigan, ku katër persona u vranë në një kishë dhe autoritetet federale njoftuan se sulmi ishte i motivuar nga bindje antifetare.