Deklaratat e presidentit të Iran, Masoud Pezeshkian, për të mos sulmuar vendet fqinje kanë shkaktuar tension dhe reagime të forta në skenën politike dhe ushtarake të vendit.
Pezeshkian kishte deklaruar se Irani nuk do të godasë shtetet e Gjirit, për sa kohë që hapësira e tyre ajrore dhe bazat amerikane në territorin e tyre nuk përdoren për sulme kundër Iranit. Megjithatë, sipas raportimeve, kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga strukturat ushtarake, të cilat duket se kanë mbajtur një qëndrim më të ashpër.
Në të njëjtën kohë, brenda vendit janë shtuar thirrjet për zgjedhjen sa më të shpejtë të një udhëheqësi të ri suprem, një zhvillim që sipas analistëve mund të synojë dobësimin ose marginalizimin e rolit të presidentit.
Ndërkohë, sulmet ndaj objektivave në Bahrein dhe në zona të tjera të rajonit kanë vijuar. Ka edhe raportime të pakonfirmuara se Bahreini mund të jetë bërë vendi i parë i Gjirit që i është kundërpërgjigjur ushtarakisht Iranit.
Reagimet ndaj deklaratës së presidentit u përforcuan edhe nga fakti se ai kërkoi falje ndaj vendeve të rajonit në një fjalim të regjistruar për televizionin shtetëror. Në këtë deklaratë, Pezeshkian la të kuptohet gjithashtu se pas sulmit amerikan ndaj komandës së lartë iraniane, forcat e armatosura mund të kenë marrë vendime të pavarura për objektivat e tyre, duke sugjeruar se disa sulme mund të jenë kryer pa një koordinim të plotë politik.
