Një tragjedi brenda një familjeje ka tronditur komunitetin e Gy, në lindje të Francës, pasi katër persona, mes tyre dy fëmijë, u gjetën të vdekur në një zonë kampingu.
Viktimat janë dy fëmijë, përkatësisht 6 dhe 9 vjeç, babai i tyre 42-vjeçar, Jean-Paul Monnot, si dhe gjyshja e fëmijëve, njëkohësisht vjehrra e 42-vjeçarit.
Të dhënat e deritanishme të hetimit kanë ngritur dyshimet se pas vrasjeve mund të qëndrojë vetë babai. Sipas raportimeve të medias franceze L’Est Républicain, dyshohet se Monnot ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre anëtarëve të familjes dhe më pas ka vrarë veten.
Një element veçanërisht i rëndë i çështjes lidhet me pretendimet se 42-vjeçari mund të ketë regjistruar pamje nga ngjarja. Sipas raportimeve të medias franceze, materiali më pas dyshohet se i është dërguar bashkëshortes së tij, me të cilën ndodhej në proces ndarjeje. Bashkë me videon, ai raportohet se i kishte dërguar edhe një mesazh me përmbajtje kërcënuese.
Alarmi u ngrit mbrëmjen e 2 shtatorit, kur trupat e katër viktimave u zbuluan në zonën ku familja kishte vendosur mjetet e kampingut. Një prej trupave u gjet brenda një furgoni, ndërsa tre viktimat e tjera u gjetën në një tjetër mjet kampingu.
Hetuesit francezë po punojnë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivet që mund të kenë çuar në tragjedi.
Sipas informacioneve të publikuara në Francë, marrëdhënia mes çiftit ishte drejt përfundimit dhe procedurat e divorcit kishin nisur. Para ndarjes, ata raportohet se kishin qenë duke ndërtuar së bashku një banesë.
Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal të Gy.
