Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i ka dhënë dritën jeshile qeverisë iraniane për të zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara, duke hapur një mundësi të re për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Lajmi u bë i ditur nga presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i cili deklaroi se Teherani po përpiqet ta zgjidhë krizën përmes dialogut dhe se Khamenei i ka deleguar qeverisë disa përgjegjësi për këtë proces.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, zhvillimi vjen në një moment tensionesh të larta mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, pavarësisht kërcënimeve për sulme të reja ushtarake.
Nafta bie me 6%
Sinjalet për rifillimin e negociatave ndikuan menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent ra me rreth 6%, duke u luhatur pranë 106 dollarëve për fuçi. Rënia lidhet me pritshmëritë se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të shmangë përshkallëzimin ushtarak dhe ndërprerjen e furnizimeve globale me energji.
Në kuadër të përpjekjeve diplomatike, Teherani ka paraqitur një plan dyditor për uljen e tensioneve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes ndërmjetësimit të Katarit. Sipas propozimit të ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ditën e parë SHBA-ja duhet të ndërmarrë disa masa konkrete, ndërsa ditën e dytë do të mundësohej rihapja e ngushticës dhe rikthimi i lundrimit në normalitet.
Irani kërkon nga Shtetet e Bashkuara heqjen e sanksioneve të reja të vendosura pas memorandumit të 17 qershorit, reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në nivelet përpara fillimit të luftës më 28 shkurt, përfundimin e bllokadës detare dhe zbatimin e përjashtimeve të mëparshme nga sanksionet për eksportet e naftës iraniane. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka theksuar se Teherani nuk do të tërhiqet nga këto kërkesa, duke paralajmëruar se rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimi i negociatave do të varen nga pranimi i tyre nga Uashingtoni.
Trump mes presionit të Izraelit dhe diplomacisë
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar kontakte me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kërkon një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit. Megjithatë, Trump ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë më shumë kohë diplomacisë përpara se të marrë një vendim për veprime të reja ushtarake.
Katari po luan një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin mes dy vendeve, ndërsa një delegacion iranian ka zhvilluar kontakte në Doha për të gjetur një marrëveshje. Për momentin, gjithçka mbetet në pritje të përgjigjes amerikane. Pranimi ose refuzimi i kushteve të Teheranit mund të përcaktojë nëse rajoni do të shkojë drejt një marrëveshjeje diplomatike apo një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
