Në një mesazh të tij, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, festoi qëndrimin e Teheranit ndaj Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se populli iranian ka arritur një “fitore” kundër ushtrisë amerikane. Ky është reagimi i parë i Khameneit që pas fillimit të konfliktit, i cili u shfaq me një video-mesazh të transmetuar në televizion.
“Shtetet e Bashkuara nuk arritën asnjë rezultat strategjik nga ky luftim,” u shpreh lideri 86-vjeçar.
Sipas tij, Uashingtoni u përfshi në konflikt jo për interesa të drejtpërdrejta, por sepse “besoi se, nëse nuk do të vepronte, Izraeli do të shkatërrohej plotësisht.”

Khamenei shtoi se qëndrimi i Iranit “parandaloi epërsinë e armikut”, dhe përgëzoi publikisht qytetarët iranianë për “qëndresën dhe moralin e tyre të lartë.” Deklaratat e tij vijnë vetëm pak orë pas konfirmimit të një armëpushimi, i cili u shpall nga presidenti amerikan Donald Trump, megjithatë pasuan shkelje të ndërsjella të marrëveshjes.


