Qyteti i shenjtë i Qomit është mbushur me mijëra besimtarë, të cilët janë mbledhur për t’i bërë homazhe Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei. Ceremonitë mortore kanë tërhequr turma të mëdha njerëzish, ndërsa arkivoli i tij është vendosur në Xhaminë Jamkaran, një nga qendrat më të rëndësishme fetare të Islamit shiit.

Khamenei humbi jetën më 28 shkurt, gjatë ditës së parë të sulmeve të përbashkëta izraelito-amerikane ndaj Iranit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në sulm mbetën të vrarë edhe disa anëtarë të familjes së tij, mes tyre edhe mbesa 14-muajshe.

Gjatë ceremonisë fetare në Qom, lutjet u drejtuan nga Ajatollah Abdullah Javadi-Amoli, 93 vjeç, një prej figurave më me ndikim të klerit konservator shiit. Në mes të ceremonisë, turma brohoriti sloganin “Vdekje Amerikës!”, një thirrje që dëgjohet shpesh në aktivitetet zyrtare të Republikës Islamike. Pamjet e publikuara tregojnë besimtarë dhe klerikë me çallma duke u lutur pranë arkivolit të Khameneit dhe familjarëve të tij.

Ndërkohë, të hënën në Teheran u zhvillua dita e tretë e homazheve kombëtare, e shoqëruar me një pjesëmarrje masive të qytetarëve. Ceremonia u interpretua nga autoritetet si një demonstrim force dhe uniteti kombëtar, vetëm gjashtë muaj pas protestave të përgjakshme që tronditën vendin për shkak të pakënaqësive ndaj pushtetit dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Sipas raportimeve, miliona iranianë dolën në rrugët e kryeqytetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit liderit 86-vjeçar, i cili tashmë konsiderohet martir nga autoritetet iraniane. Madhësia e ceremonisë është krahasuar me funeralin e vitit 1989 të Ajatollah Ruhollah Khomeinit, themeluesit të Republikës Islamike dhe paraardhësit të Khameneit.

Pas ceremonive në Iran, kortezhi mortor pritet të kalojë edhe në Irak, ku jeton një komunitet i madh myslimanësh shiitë. Ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet të enjten në qytetin e shenjtë të Mashhadit, në verilindje të Iranit, vendlindja e Ali Khameneit.