Që nga orët e para të mëngjesit të ditës së diel, Kievi ka qenë nën bombardimet e rënda ruse. Vëzhguesit e pavaruar e përshkruan si një nga sulmet më të mëdha ajrore në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës, tre vjet e gjysmë më parë.

Mediat ukrainase shkruajnë se Rusia nisi sulme të njëkohshme në qytete të tjera, përfshirë Zaporizhian. Në kryeqytet, dronë fluturuan mbi qytet dhe rrethinat e tij, ndërsa zjarr kundërajror dëgjohej vazhdimisht gjatë gjithë natës. Shumë banorë u detyruan të strehoheshin në stacionet nëntokësore të metrosë, ndërsa një alarm i kuq u dha në të gjithë territorin ukrainas.

Deri më tani, sipas AFP-së, ka tre të plagosur në Kiev dhe katër në Zaporizhia. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, njoftoi se tre të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa guvernatori lokal i Zaporizhias, Ivan Fedorov, tha se qyteti u godit “të paktën katër herë”.

Kreu i administratës presidenciale, Andriy Yermak, foli për sulme të kombinuara me dronë dhe raketa, duke nënvizuar përshkallëzimin e agresionit rus.

Reagimet në Poloni

Sulmi masiv rus shkaktoi gjithashtu një reagim të menjëhershëm në Poloni. Varshava njoftoi në agim se kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore në kufirin me Ukrainën, pranë qyteteve të Lublinit dhe Rzeszovit. Forcat e armatosura polake mobilizuan avionë luftarakë për të siguruar hapësirën ajrore pas bastisjeve të Moskës.