Për herë të parë, edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov – i njohur për gjuhën e matur dhe deklaratat e kalkuluara – duket se po lëkundet në qëndrimet e tij ndaj rolit ndërmjetësues të Shteteve të Bashkuara. Ai shprehet hapur se “i vlerëson shumë” përpjekjet e Donald Trump, duke theksuar se presidenti amerikan “po vepron sinqerisht për të gjetur një zgjidhje”, gjë që, sipas tij, dëshmohet nga përfshirja e plotë e administratës amerikane në proces.
Megjithatë, kur pyetet nëse një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të arrihet deri në Krishtlindje – afat i përmendur nga Trump – Peskov shmang çdo përgjigje konkrete. “Nuk do të bëj parashikime për afatet kohore. Do të ishte e papërgjegjshme në këtë fazë”, thotë ai, duke shtuar se mund të flasë vetëm në emër të Moskës dhe të presidentit Vladimir Putin.
Sipas Peskovit, Putini është i hapur për paqe, por vetëm për një paqe “të vërtetë dhe serioze”, jo për zgjidhje të përkohshme apo manovra taktike. Ai akuzon palën kundërshtare për përpjekje për të fituar kohë, duke i cilësuar propozimet për armëpushim si “pauza artificiale dhe të përkohshme”, të cilat, sipas tij, nuk do të pranohen nga Moska.
Në të njëjtën linjë, Kremlini shfaq skepticizëm edhe ndaj procesit negociator që përfshin SHBA-në, Ukrainën dhe vendet evropiane. Peskov thekson se Moska nuk është në dijeni të detajeve të diskutimeve, pasi Uashingtoni “nuk ndan në kohë reale” propozimet që po shqyrton me palët e tjera, dhe Rusia do të presë për të parë rezultatet konkrete.
Një gjë, sipas Kremlinit, është tashmë e qartë: gatishmëria e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të hequr dorë nga anëtarësimi në NATO nuk mjafton. Refuzimi i Kievit për t’u bashkuar me Aleancën duhet të formalizohet në një dokument juridikisht detyrues, që Peskov e përshkruan si “themelin” e çdo marrëveshjeje të ardhshme. Ai ka hedhur poshtë edhe idenë e një referendumi për territoret e kontestuara, duke e quajtur atë një tjetër përpjekje për të justifikuar një armëpushim të përkohshëm. “Kjo nuk do të kalojë”, ka paralajmëruar ai.
Në Moskë shihet me dyshim edhe ideja e Bashkimit Evropian për të përdorur asetet ruse të ngrira për të financuar Ukrainën. Kremlini e konsideron këtë një tjetër “mashtrim”, ndërsa paralajmëron pasoja të rënda ligjore për Brukselin. Banka Qendrore e Rusisë ka ngritur tashmë një padi kundër Euroclear në Gjykatën e Arbitrazhit të Moskës, duke kërkuar rreth 200 miliardë euro dëmshpërblim – një hap që, sipas autoriteteve ruse, mund të hapë një “kuti të Pandorës” për BE-në.
Edhe media pro-qeveritare Izvestia akuzon Kievin dhe vendet evropiane për zvarritje të qëllimshme të negociatave. Gazeta shkruan se propozimet e Zelenskyt dhe iniciativat evropiane nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të devijuar procesin nga një dialog real drejt asaj që e quan “simulakra politike”. Sipas saj, diplomacia është shndërruar në “zhurmë sfondi”, ndërsa vendimet reale po merren në fushën e betejës.
Grigory Karasin, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Këshillin e Federatës, ndan të njëjtin qëndrim, duke akuzuar Evropën se po përpiqet të komplikojë procesin negociator me iniciativa paralele dhe presion politik.
Në fund, për Moskën mbetet vendimtare vetëm një gjë: realiteti ushtarak në terren. Siç shkruan Izvestia, Kievi ndodhet i shtrënguar mes dy presioneve – njërit politik nga Uashingtoni dhe tjetrit, më të fortë, nga ofensiva ushtarake ruse. Përpjekjet evropiane për të zbutur këtë situatë, sipas gazetës, kanë pasur efekt të kufizuar dhe vetëm kanë shtyrë një përballje të pashmangshme. “Herët a vonë, tehet do të takohen”, shkruan ajo, duke përdorur një metaforë të errët historike, që sugjeron se fundi i këtij procesi mund të jetë i dhimbshëm dhe vendimtar.
