Rrezik konflikti ushtarak mes Japonisë dhe Kinës për kontrollin e detit
Gjashtë anije mbikëqyrjeje kineze hynë për një periudhë të shkurtër në ujërat përreth ishujve që pretendohen njëkohësisht nga Japonia, duke ngritur më tej tensionet në zonë. Kina tha se anijet qenë në një mision të “zbatimit të ligjit” për të treguar juridiksionin territorial të Kinës mbi ishujt që ajo i quan Diaoju, ndërsa Japonia i quan Senkaku.
Sipas rojës bregdetare të Japonisë, anijet u larguan pas një patrullimi të shkurtër. Lëvizja kineze erdhi pasi Japonia nënshkroi një marrëveshje për të blerë të tri ishujt. Tokio ka nën kontroll ishujt e pabanuar, por përreth tyre gjenden rezerva të konsiderueshme hidrokarbure, gjë që ka sjellë edhe konfliktin.
Roja Bregdetare Japoneze njoftoi se anijet kineze hynë në ujërat territoriale të këtij vendi mëngjesin e së premtes me orën vendëse. Anijet u larguan rreth 90 minuta më vonë, pasi morën paralajmërim nga Roja Bregdetare Japoneze. Kryeministri Yoshihiko Noda krijoi një grup special pune për të trajtuar çështjen, ndërsa ambasadorit kinez në Tokio iu dorëzua një letër proteste.
“Ne shohim se dërgimi i gjashtë anijeve është një rast i paprecedent duke marrë parasysh incidentet e të shkuarës”, thotë Japonia. Tokio i kërkoi Pekinit të garantojë sigurinë e shtetasve të vet, pas lajmeve se një grup japonezësh është sulmuar në një restorant nga një turmë kinezësh.
Kina deklaroi se anijet e saj janë dërguar në ishuj për të demonstruar juridiksionin e vendit mbi to dhe për të garantuar interesat detare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga palët të qetësohen. Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, pritet të vizitojë Japoninë dhe Kinën në ditët e ardhshme si pjesë e një turi në rajon. Mosmarrëveshjet për ishujt kanë tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë dhe kërcënojnë të dëmtojnë marrëdhëniet e fuqishme tregtare mes tyre.
Mosmarrëveshjet kanë rigjallëruar nacionalistët në vendet respektive, gjë që e bën më të vështirë zgjidhjen e problemit me bisedime.