Tension ka edhe mes Koresë së Veriut e Jugut për dislokimin e sistemit mbrojtës raketor
Kina e ka bërë të qartë se nuk do të respektojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Hagës që vendosi se nuk e ka të drejtën e krijimit të një zone të mbrojtjes ajrore mbi territoret e kërkuara prej saj në detin e Kinës Jugore. Situata në këtë hapësirë gjeografike është tensionuar së tepërmi, aq sa SHBA-ja ka dërguar luftanije dhe avionë ushtarakë dhe mes të dyja vendeve ka pasur fërkime dhe incidente të vogla. Gjykata e Arbitrazhit në Hagë doli një ditë më parë në përfundimin se “Pekini nuk ka të drejtë historike” ndaj këtij rajoni të madh detar. Por pavarësisht reagimeve të shumta pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit të OKB-së, Kina ngelet e palëkundur në qëndrimin e saj. “Sovraniteti territorial i Kinës dhe të drejtat e saj detare nuk do të preken në asnjë lloj mënyrë nga ky vendim”, deklaroi Presidenti Xi Jinping. Zëdhënësi i Këshillit shtetëror të Informimit, Guo Weimin, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Liu Zhenmin, e bënë të qartë se vendi do të marrë çdo masë që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e interesave të tij. “Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit është një farsë e qëllimshme politike, që bëhet në emër të ligjit. Ishujt e detit të Kinës Jugore kanë qenë gjithmonë pjesë e territorit të Kinës, të cilës tani i lind e drejta të krijojë atje një zonë të mbrojtjes ajrore”, u shpreh Weimin. Kurse Liu Zhenmin, zv/ministri i Jashtëm bëri thirrje që deti i Kinës së Jugut të mos të kthehet në fillesën e një lufte, sepse Kina synon që ta kthejë atë një det paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi. Gjithashtu, tensionet ka edhe në një pjesë tjetër të rajonit. Koreja e Jugut informoi për zonën ku do të dislokohet sistemi i mbrojtjes raketore “THAAD”, lëvizje kjo që zemëroi Kinën e shtyu Penianin të kërcënojë me “shpagim”. Kjo solli reagimin e Koresë së Veriut që e bëri të qartë që nëse kjo nismë koreano-jugore amerikane vazhdon, atëherë shteti komunist është gati të sulmojë fqinjin jugor. Edhe Pekini është kundër kësaj nisme.