Diplomacia


Pekini beson se shumë armatime mund t’i blejë më lirë nga sa i kushton zhvillimi nga e para


Kryeministri kinez, Ven Jiabao, i kërkoi Bashkimit Europian të heqë embargon për armatimet që ka vendosur ndaj Kinës në vitin 1989, gjatë një samiti BE-Kinë ku Jiabao flet për herë të fundit para se të dorëzojë pushtetin te pasardhësi i tij. Duke folur në Bruksel, ai tha se “zgjidhja për këtë problem nuk u arrit dot gjatë dhjetë viteve të fundit dhe për këtë gjë ndiej keqardhje”.


Embargoja u vendos pas shtypjes me dhunë të protestave në sheshin Tiananmen më 1989. Burime diplomatike europiane thanë para takimit se mes palëve është “rënë dakord të mos bien dakord” mbi këtë çështje. Kryeministri kinez përmendi edhe refuzimin e BE-së për të njohur Kinën si një ekonomi tregu, gjë që i lejon Brukselit të vendosë tarifa doganore për mallrat kinezë. Diskutimet gjatë vizitës së tij njëditore u përqendruan në shumë çështje të tjera ekonomike dhe ai u takua me Presidentin e Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy, dhe shefen e diplomacisë, Catherine Ashton.


Tregtia mes BE-së dhe Kinës ka një volum të përgjithshëm prej 430 miliardë eurosh dhe është shumë e rëndësishme për të dyja palët. Gjatë diskutimeve jo gjithçka shkoi mirë. Një konferencë për shtyp e përbashkët u anulua kur Kina kërkoi të drejtën për të vendosur se kush nga gazetarët do të lejoheshin të merrnin pjesë.


Kërkesa kryesore e Kinës qe heqja e embargos. Ndalimi i shitjes së armatimeve moderne për ushtrinë kineze nga gjigantët europianë të mbrojtjes e detyron Pekinin të investojë shumë para në kërkimin dhe zhvillimin e armatimeve që mund të blihen me kosto më të ulët gjetkë.


Franca dhe Italia kanë kërkuar heqjen e embargos së armëve, por vendet e tjera europiane kanë kundërshtuar. SHBA-ja kundërshton heqjen e embargos duke argumentuar se Kina ka të shkuar të errët sa i përket të drejtave të njeriut, ndërkohë që armatimi kinez me teknologjinë e lartë europiane mund të shkaktojë zhbalancim të forcave në Azinë e Largët. Ndërkohë, Europa ka nevojë për investimet e rezervës valutore ndërkombëtare kineze për t’i dhënë zgjidhje krizës së borxheve.