Kina ka ndaluar varrimin e të ndjerëve në apartamente bosh, të njohura si “apartamente hiri”, një praktikë që ishte përhapur gjerësisht për të shmangur kostot e larta të varreve dhe për shkak të plakjes së shpejtë të popullsisë dhe mungesës së strehimit.

Lajmi vjen para festës tradicionale Qingming, e cila do të mbahet këtë të diel dhe dedikohet pastrimit të varreve. Urbanizimi i shpejtë ka rritur kërkesën për parcela varresh, të cilat janë të kufizuara në qytete, ndërsa ligji ekzistues parashikon se të drejtat e qirasë për prona banesore vlejnë për 70 vjet, ndërsa varret mund të përdoren vetëm për 20 vjet.

Popullsia e Kinës po plaket me një ritëm të shpejtë: numri i vdekjeve në vitin 2025 ishte 11.3 milionë, krahasuar me 9.8 milionë në vitin 2015, duke tejkaluar ndjeshëm 7.9 milionë lindjet e vitit të kaluar.

Sipas një studimi global të vitit 2020 nga siguruesi SunLife, shpenzimet mesatare të funeralit në Kinë janë ndër më të lartat në botë, rreth 37,375 RMB (5,400 dollarë), ose rreth 45% e pagës mesatare vjetore.

Për të lehtësuar barrën financiare dhe për të zvogëluar ndikimin mjedisor, qeveria po promovon edhe metoda alternative të funeralit, të njohura si “varrime ekologjike”, përfshirë shpërndarjen e hirit në det dhe praktika të tjera që janë më të lira dhe më miqësore me mjedisin.