Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i ka bërë thirrje Iranit që t’i japë përparësi dialogut ndaj përshkallëzimit të konfliktit, gjatë një bisede telefonike me homologun iranian Abbas Araghchi.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Yi theksoi se “të bisedosh është gjithmonë më mirë sesa të vazhdosh të luftosh”, duke shtuar se të gjitha palët duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për paqe dhe të nisin sa më shpejt një proces negociatash.
Kjo thirrje vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta, ndërsa Teherani ka mohuar pretendimet e Presidentit amerikan Donald Trump për zhvillimin e negociatave mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë një përfundim të luftimeve përmes një zgjidhjeje diplomatike, duke sinjalizuar hapje për dialog pavarësisht përplasjes së ashpër në rajon.
