Kina ka kritikuar ashpër një projektligj të ri të Bashkimi Evropian, i cili synon forcimin e bazës industriale të bllokut, duke paralajmëruar se mund të ndërmarrë kundërmasa nëse preken interesat e kompanive kineze.

Sipas Ministrisë kineze të Tregtisë, drafti i njohur si “Industrial Accelerator Act” (IAA) përmban pengesa për investimet e huaja dhe elementë diskriminues, veçanërisht në sektorë strategjikë si bateritë, automjetet elektrike, panelet fotovoltaike dhe mineralet e rralla.

Autoritetet në Pekin bëjnë të ditur se më 24 prill i kanë paraqitur shqetësimet dhe rekomandimet e tyre Brukselit, duke paralajmëruar reagim nëse këto nuk merren parasysh.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian synon përmes këtij ligji të forcojë pozicionin në industri kyçe, të mbrojë dhe të krijojë vende pune, si dhe të vendosë kërkesa të tipit “Made in Europe” për prokurimet publike.

Kina, si një nga konkurrentet kryesore të industrisë evropiane, pritet të ndikohet nga rregullat më të rrepta për investimet e huaja direkte, të cilat kërkojnë miratim për marrëveshje të mëdha dhe synojnë të mbrojnë kompanitë evropiane nga blerjet prej investitorëve jashtë BE-së.

Ministria kineze theksoi tre shqetësime kryesore: mundësinë e shkeljes së marrëveshjeve ndërkombëtare, diskriminimin e investitorëve kinezë dhe dëmtimin e konkurrencës së ndershme. Po ashtu, Pekini paralajmëroi se masa të tilla mund të ngadalësojnë tranzicionin e gjelbër të BE-së.

Në fund, Kina i bëri thirrje Bashkimi Evropian të heqë nga projektligji kërkesat për përmbajtje lokale, kufizimet ndaj investitorëve të huaj dhe detyrimet për transferimin e pronësisë intelektuale.