Kina po bllokon sërish importet e ushqimeve të detit nga Japonia për shkak të deklaratës së fundit të kryeministrit japonez, Sanae Takaichi në lidhje me Tajvanin.
“Pekini ka informuar Tokion për ndalimin e importeve japoneze”, tha media japoneze, duke cituar burime qeveritare.
Ministria e Jashtme e Kinës e justifikoi këtë veprim duke thënë se Japonia nuk kishte arritur të ofronte dokumentacionin e premtuar për eksportet dhe se deklarata e Takaichi kishte shkaktuar zemërim midis popullit kinez.
“Edhe nëse ushqimet e detit të Japonisë do të eksportoheshin në Kinë, nuk do të kishte treg për to në këto rrethana”, tha zëdhënësja e ministrisë Mao Ning.
Më herët, Kina ishte tregu më i rëndësishëm për eksportet e ushqimeve të detit të Japonisë.
Ndalimi i importit vjen mes një mosmarrëveshjeje pothuajse dyjavore midis Pekinit dhe Tokios për shkak të deklaratës së Takaichi.
Më 7 nëntor, kryeministri japonez tha në parlament se një sulm kinez ndaj Tajvanit do të përbënte një “kërcënim ekzistencial” që mund ta nxiste Japoninë të ushtronte të drejtën e saj për vetëmbrojtje.
Politikani kritik ndaj Kinës – në këtë mënyrë – la të nënkuptohej se si mund të reagonte Japonia nëse Kina do të përdorte mjete ushtarake për të aneksuar Tajvanin, të cilin e konsideron pjesë të territorit të saj.
