Kina ka bërë disa njoftime të reja në minutat e fundit, duke shpallur kufizime të reja ndaj kompanive amerikane.
Ndërsa masat e mëparshme ishin një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj tarifave të vendosura nga SHBA, autoritetet kineze theksojnë se hapat më të fundit janë të lidhura me shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe çështjen e Tajvanit.
Kontrolli i eksporteve
Pekini njoftoi se ka shtuar 16 entitete amerikane në listën e tij të “kontrollit të eksporteve”, duke deklaruar se këto kompani kanë “sjellje që mund të rrezikojnë sigurinë dhe interesat kombëtare të Kinës”. Si rrjedhojë, atyre u ndalohet eksporti i mallrave, softuerëve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë si civil ashtu edhe ushtarak drejt Kinës.
Entitete të pabesueshme
Kina gjithashtu ka vendosur 11 kompani të huaja në listën e saj të “entiteteve të pabesueshme”, që i lejon qeverisë kineze të marrë masa ndëshkuese ndaj tyre. Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi se këto kompani janë përfshirë në “bashkëpunim të ashtuquajtur ushtarak dhe teknik me Tajvanin”.
Pezullimi i importeve
Sakaq, Kina ka pezulluar licencat e eksportit për gjashtë kompani amerikane, duke përmendur shqetësime në lidhje me sigurinë ushqimore.
Tarifat hakmarrëse: Pse pikërisht 34%?
Si pjesë e masave hakmarrëse, Kina ka vendosur një tarifë shtesë prej 34% mbi mallrat amerikane. Por pse pikërisht 34%?
Presidenti amerikan Donald Trump, që u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, vendosi fillimisht tarifa shtesë ndaj Kinës në nivelin 20%. Këtë javë, administrata e tij shpalli një raund të ri tarifash “reciproke” për vendet anembanë botës – me normën për Kinën në 34%.
Kjo nënkupton se tarifa hakmarrëse e Kinës është e barabartë me atë që Uashingtoni ka aplikuar më herët këtë javë – një sinjal i qartë për reciprocitet në luftën tregtare mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë.
