Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin Hopkinsville të shtetit Kentucky, ku një grua që priste ilaçet e saj për trajtim mjekësor hapi një pako dhe brenda saj gjeti krahë dhe gishta njerëzish të prerë, të ruajtur në akull.
Sipas The New York Times, pakoja ishte dërguar me avion nga Nashville dhe ishte ngatërruar gjatë transportit. Gruaja, e cila nuk është identifikuar, telefonoi menjëherë policinë sapo e pa.
“Prisnim ilaçe urgjente, por në njërën nga kutitë ishin pjesë trupi për transplantim. Po përpiqemi të kuptojmë ku duhet të shkojë,” tha ajo në telefonatën e regjistruar nga televizioni WSMV.
Në vendngjarje mbërriti mjeku ligjor i qarkut Christian, Scott Daniel, i cili konfirmoi se në pako ndodheshin dy krahë dhe katër gishta njerëzish.
Ai tha se pjesët e trupit ishin të destinuara për një spital ose shkollë mjekësore për trajnim kirurgjikal, dhe vinin nga katër trupa të ndryshëm dhurues.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, pjesët u morën dhe u dërguan në morgun lokal, ndërsa gruaja mori më vonë ilaçet e saj të rregullta.
“Ajo bëri gjënë e duhur duke thirrur policinë,” u shpreh mjeku ligjor, duke theksuar se kushdo që përballet me një situatë të ngjashme duhet të lajmërojë menjëherë autoritetet dhe të mos i prekë materialet.
