Një tragjedi e rëndë hekurudhore ka tronditur Spanjën mëngjesin e kësaj të mërkure, 28 tetor, pasi dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur në provincën e Toledos, duke shkaktuar të paktën 64 viktima dhe shumë të plagosur.
Bilanci tragjik është konfirmuar nga autoritetet rajonale të Castilla-La Mancha, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes vagonëve të shkatërruar. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet, pasi operacioni për kontrollin e rrënojave është ende në zhvillim.
Aksidenti ndodhi rreth orës 08:54, pranë Urda-s, kur një tren AVE i kompanisë Renfe, që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes, u përplas nga pas me një tren të kompanisë Iryo, i cili ndodhej i ndaluar në linjë.
Sipas televizionit publik spanjoll RTVE, në trenin Renfe udhëtonin 397 pasagjerë, ndërsa në trenin Iryo ndodheshin 146 pasagjerë dhe një foshnjë. Forca e përplasjes shkaktoi daljen nga shinat të disa vagonëve, disa prej të cilëve përfunduan në një terren të pjerrët pranë hekurudhës.
“Kishte trupa poshtë trenave”, dëshmia që zbulon tmerrin
Një nga dëshmitë më tronditëse është ajo e Eduardës, një pasagjere që ndodhej në vagonin e pestë të trenit Iryo. Në një rrëfim për Cadena SER, të raportuar nga gazeta El Español, ajo ka përshkruar skenat e tmerrit që përjetoi pas përplasjes.
“Ka qenë kaos, sepse kishte trupa poshtë trenave”, është shprehur e reja.
Ajo tregoi se po udhëtonte për të takuar motrën e saj në Andaluzi, kur papritur ndjeu një frenim të fuqishëm që e hodhi përpara bashkë me sediljen, e cila u thye nga forca e goditjes.
Megjithëse shpëtoi pa lëndime, Eduarda ndihmoi pasagjerët e tjerë të dilnin nga vagoni dhe u përpoq t’u vinte në ndihmë të plagosurve përpara mbërritjes së ekipeve të emergjencës.
Një tjetër dëshmi dramatike është ajo e pasagjerit Jesús, i cili udhëtonte në trenin AVE. Ai ka treguar për Cadena SER se përplasja i hodhi njerëzit në korridorin e vagonit, ndërsa jashtë pa persona me plagë jashtëzakonisht të rënda.
Sipas dëshmisë së tij, një i ri ecte mes rrënojave me njërin krah të amputuar. Pasagjeri tregoi gjithashtu se kishte parë njerëz të shtrirë pa lëvizur dhe se kishte ndihmuar në nxjerrjen e një të plagosuri.
Vagonë të shkatërruar dhe operacion masiv shpëtimi
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të katastrofës. Pjesë metalike të deformuara, bagazhe të shpërndara dhe vagonë të rrëzuar në terrenin poshtë hekurudhës dëshmojnë forcën e përplasjes.
Në zonë janë mobilizuar ambulanca, helikopterë, zjarrfikës, efektivë të Gardës Civile dhe njësitë ushtarake të emergjencave.
Shpëtimtarët po kontrollojnë vagon pas vagoni për të gjetur persona të tjerë, ndërsa të plagosurit janë evakuuar për të marrë trajtim mjekësor.
Dyshimet e para për shkaqet e tragjedisë
Ndërsa hetimet kanë nisur, mediat spanjolle raportojnë se një nga pistat që po shqyrtohet është gabimi njerëzor. Megjithatë, deri tani nuk ka një përfundim zyrtar që të përcaktojë përgjegjësinë për aksidentin.
Hetuesit pritet të analizojnë sinjalistikën hekurudhore, komunikimet mes qendrës së kontrollit dhe drejtuesve të trenave, si dhe rrethanat që çuan në ndalimin e njërit prej trenave në linjë.
Për shkak të aksidentit, është ndërprerë qarkullimi i trenave të shpejtësisë së lartë mes Madridit dhe Andaluzisë.
Tragjedia e dytë brenda vitit
Aksidenti i kësaj të mërkure ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e transportit hekurudhor në Spanjë.
Vetëm në janar të këtij viti, një tjetër përplasje mes dy trenave të shpejtësisë së lartë pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, shkaktoi 46 viktima.
Dy tragjeditë, të ndodhura brenda nëntë muajve, kanë ngritur pikëpyetje serioze për sigurinë e rrjetit hekurudhor dhe masat e mirëmbajtjes së infrastrukturës.
Ndërkohë, Spanja është në zi, teksa familjarët e pasagjerëve presin informacione për fatin e të afërmve të tyre dhe ekipet e shpëtimit vazhdojnë operacionin në vendin e katastrofës
