Florida ka regjistruar një rekord të zymtë këtë vit, duke kryer njëmbëdhjetë ekzekutime numri më i lartë i shënuar ndonjëherë në një vit të vetëm pas rikthimit të dënimit me vdekje në vitin 1976.
Ekzekutimi më i fundit u zhvillua ndaj Curtis Windom, 59 vjeç, i cili u dënua për një vrasje të trefishtë në vitin 1992. Ai u ekzekutua me injeksion vdekjeje në Burgun Shtetëror të Floridës, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së refuzoi apelimin e tij të fundit, raporton CBS News.
Windom ishte shpallur fajtor për vrasjen e të dashurës së tij Valerie Davis, nënës së saj Mary Lubin dhe një personi tjetër, Johnnie Leet, të cilit ai i kishte pretenduar një borxh. Avokatët e tij kishin argumentuar se procesi gjyqësor ishte i padrejtë, pasi mbrojtësi i asaj kohe nuk kishte përgatitjen e nevojshme për çështje që lidhen me dënimin kapital, duke shkelur të drejtën e tij kushtetuese për një mbrojtje të duhur.
Urdhri për ekzekutimin e Windomit u firmos më 29 korrik nga guvernatori Ron DeSantis, i cili ka nënshkruar gjithashtu edhe vendimin për një ekzekutim tjetër. Më 17 shtator, pritet të zbatohet dënimi me vdekje për David Pittman, i dënuar për vrasjen e tre anëtarëve të familjes së ish-bashkëshortes së tij në vitin 1990.
Rekordi i mëparshëm i ekzekutimeve në Florida ishte tetë, i regjistruar në vitet 1984 dhe 2014. Me 11 raste të kryera këtë vit, shteti ka tejkaluar çdo precedent të periudhës moderne pas rikthimit të dënimit me vdekje.
Përveç Windomit, gjatë vitit 2025 janë ekzekutuar edhe: Kayle Bates, Edward Zakrzewski, Michael Bell, Thomas Gudinas, Anthony Wainwright, Glen Rogers, Jeffrey Hutchinson, Michael Tanzi, Edward James dhe James Ford.