Hurikani Sandy mbërriti në brigjet juglindore të Kubës me fuqinë e shkallës dy dhe me erëra që arrijnë në 175 kilometra në orë, njoftoi Qendra Kombëtare e Hurikaneve në SHBA. Të mërkurën, hurikani shkaktoi një të vdekur kur kaloi mbi Xhamajka. Alarmi është ngritur në Bahamas dhe Florida, ku Sandy mund të mbërrijë me fuqinë e një stuhie tropikale, një fenomen ky më pak i rrezikshëm sesa hurikani. Paralajmërohet se hurikani mund të sjellë shi të furishëm që mund të “prodhojë përmbytje dhe rrëshqitje toke vdekjeprurëse, veçanërisht në zonat malore.


Parashikuesit e motit vlerësojnë se mund të bien deri 300 milimetra shi në Kubën Lindore, Haitin dhe Republikën Domenikane. Në Kubë, mijëra banorë dhe turistë janë zhvendosur nga zonat e rrezikshme duke ndjekur procedurat standarde të evakuimit të këtij vendi.


“Ne nuk mund të vendosim asnjë jetë njerëzore në rrezik. Duhet të evakuojmë njerëz nga zonat që ka mundësi të përmbyten pa humbur kohë”, deklaroi një zyrtar vendës.