Koloseu, një nga simbolet më të njohura të Italisë dhe një prej atraksioneve turistike më të vizituara në botë, është shpallur tashmë “zonë e kuqe” sigurie.
Vendimi është marrë nga autoritetet e Romës pas një serie incidentesh kriminale dhe episodesh dhune në zonën përreth monumentit historik.
Një nga rastet më të rënda u regjistrua në korrik, kur rreth 50 të rinj u përfshinë në një sulm ndaj forcave të policisë, duke përdorur edhe fishekzjarrë. Nga përplasjet mbetën të plagosur disa efektivë.
Autoritetet thonë se shqetësimi nuk lidhet vetëm me episodet e dhunshme. Vjedhjet, grabitjet dhe trafiku i drogës janë kthyer në një problem në rritje në disa prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit italian.
Me shpalljen e “zonës së kuqe”, policia lokale do të ketë një prani të përforcuar 24 orë në ditë, ndërsa në terren do të shtohet edhe kontrolli i ushtrisë.
Masat u japin gjithashtu forcave të rendit kompetenca më të mëdha për të larguar nga zona ose ndaluar persona që konsiderohen burim shqetësimi për sigurinë publike.
Sipas autoriteteve, situata ka marrë përmasa të një “emergjence serioze publike”, ndërsa masat e deritanishme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar kriminalitetin.
Vendimi vjen në një periudhë kur Roma pret miliona vizitorë dhe kur siguria pranë pikave më të njohura turistike është kthyer në një nga prioritetet kryesore.
Përveç Koloseut, masa të shtuara sigurie janë vendosur edhe pranë stacionit Termini, Bazilikës së Shën Pjetrit dhe Bazilikës “Santa Maria Maggiore”.
“Zona e kuqe” përreth Koloseut do të qëndrojë në fuqi deri më 24 dhjetor, me synimin për t’i rikthyer sigurinë një prej vendeve më simbolike të Romës.
