Një sulm “kirurgjikal” i pashembullt i ka dhënë fund jetës së udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei. Të shtunën në mëngjes, avionët luftarakë izraelitë realizuan një goditje të saktë dhe të shpejtë në Teheran, duke shënjestruar kompleksin ku ndodhej Khamenei. Kjo vrasje është realizuar pas një periudhe të gjatë planifikimi dhe përdorimi të teknologjisë së avancuar.
Sipas një raporti të publikuar nga Financial Times, operacioni i koduar “Ulërima e Luanit” përfshiu përdorimin e kamerave të trafikut të hakuara dhe inteligjencës artificiale për të ndjekur çdo lëvizje të Khameneit dhe stafit të tij të ngushtë. Izraeli u mbështet në mbledhjen e të dhënave të shumta përmes algoritmeve dhe analizës së modeleve të jetesës së liderëve iranianë, duke monitoruar rrugët që ata ndiqnin, oraret dhe vendndodhjet e zakonshme.
Një burim i përkrahur nga CIA e siguroi informacionin e saktë për vendndodhjen e Khameneit në ditën e sulmit. Përveç kësaj, shërbimi izraelit i inteligjencës, Mossad, ndërhyri me operacione të fshehta në terrenin iranian, rekrutoi informatorë dhe siguronte informacion operativ të rëndësishëm për realizimin e sulmit.
Pjesë e operacionit ishte edhe njësia speciale 8200 e Izraelit, e cila ka një kapacitet të jashtëzakonshëm në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave elektronike. Ajo përdori mjete të tilla si përgjimi i komunikimeve, hakerimin e kamerave të qytetit dhe ndërhyrjen në sistemet e telefonisë celulare për të krijuar një pasqyrë të saktë të lëvizjeve të Khameneit dhe sigurisë së tij.
Vrasja e Khameneit, e realizuar me 30 raketa dhe një sulm ajror të papritur, u koordinua me precizion të lartë. Sulmi i koordinuar e parandaloi ekipin e sigurisë së Khameneit të merrte masa paralajmëruese, duke ndikuar gjithashtu në sistemet e komunikimit celular të zonës.
Raporti zbulon gjithashtu se plani për eliminimin e Khameneit ka nisur që nga vitit 2001, kur ish-kryeministri izraelit Ariel Sharon e kishte shpallur Iranin si një objektiv kyç të sigurisë kombëtare të Izraelit.
