Kërcënimi që presidenti i SHBA-së Donald Trump i paraqet aleancave të vjetra do të jetë i madh ndërsa udhëheqësit botërorë dhe zyrtarët e lartë të sigurisë mblidhen sot për hapjen e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Bisedimet e nivelit të lartë, të cilat do të vazhdojnë deri të dielën, do të përqendrohen kryesisht në Ukrainë, ku lufta ruse në shkallë të plotë po hyn në vitin e saj të pestë – dhe në Iran, për të cilin Trump ka paralajmëruar se mund të përballet me sulme ushtarake nëse nuk arrihet së shpejti një marrëveshje bërthamore.

Gjithashtu, përçarja në thellim midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës – e lidhur nga një rrjet partneritetesh politike, ushtarake dhe ekonomike – do të zërë vendin qendror në diskutime.

Raporti vjetor i Sigurisë i Mynihut vendosi një ton “të zymtë” përpara Konferencës, duke e etiketuar Trumpin si një politikan që po shkatërron rendin ndërkombëtar të pas vitit 1945.

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të hapë konferencën – e konsideruar si forumi kryesor në botë – për diskutim mbi politikën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kjo do të jetë paraqitja e parë e udhëheqësit konservator në bisedime si kancelar.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, surprizoi audiencën e vitit të kaluar me kritikën e tij të ashpër ndaj udhëheqësve evropianë, në të cilën i akuzoi ata për shtypjen e lirisë së fjalës dhe shpërfilljen e mendimeve të votuesve të së djathtës.

Vance nuk do të marrë pjesë këtë vit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka planifikuar të mbajë një fjalim nesër.

Çështja nëse SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane dhe aleancës së NATO-s – pritet të dominojë në diskutimet në panel – ashtu edhe në takimet me dyer të mbyllura.

Organizatorët thanë se do të marrin pjesë më shumë se 60 udhëheqës botërorë – më shumë se kurrë më parë.

Rreth 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes do të marrin pjesë gjithashtu.